Kurti takon Thaçin: Ende s’jam mandatuar, jemi në hapat e fundit të arritjes së paktit me LDK-në

6 Janar 2020, 17:44

KOSOVE-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti janë takuar sot në orën 15:00. Takimi i parë mes Thaçit dhe Kurtit u zhvillua për t’u konsultuar për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë së Republikës së Kosovës. Kurti pas takimit që zgjati vetëm disa minuta me Thaçin theksoi se ende nuk është mandatuar për formimin e qeverisë së re se më parë do të ketë një takim me kryesinë e partisë, ndërsa më pas do i dërgojë shkresën zyrtare Presidentit, i cili duhet ta dekretojë.

Kreu i LVV-së është shprehur për mediat se sot pasdite do të ketë një bisedë me drejtuesit e LDK-së për të zhvilluar takimin e radhës. Për Kurtin marrëveshja me LDK-në për qeverinë e re është në hapat e fundit. "Në momentin kur ne dërgojmë shkresën te Presidenti dhe ai bën dekretimin atëherë numërojmë mbrapsht nga 15 deri në zero. Tani do të kthehem në kryesi dhe më pas do të përgatisim shkresën me shkrim zyrtare, që presidenti të bëjë dekretimin. LDK-ja është i vetmi partner i mundshëm. Jemi në hapat e fundit të arritjes së marrëveshjes" tha ai.