Kush e beson LSI? Ja 47 premtimet e pambajtura në qeverisje me PD

5 Maj 2019, 13:43

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka njoftuar se partia që ajo drejton ka nisur hartimin e programit elektoral. Sipas saj, programi elektoral do të ketë në thelb uljen e papunësisë, rritjen e pagave, mirëqenien dhe përkrahjen e gruas. “Ne si LSI, e kemi të shenjtë fjalën e dhënë”, tha Kryemadhi. Këto premtime u reflektuan edhe në rezolutën e miratuar në Konventën e LSI ditën e djeshme. LSI nuk është një parti e sapokrijuar dhe e paprovuar nga shqiptarët.

LSI është prej 14 vitesh pjesë e ‘tregut politik’ shqiptar, ku për tetë vite ka qenë në pushtet, fillimisht (2009-2013) me Partinë Demokratike dhe më pas (2013-2017) me Partinë Socialiste. A mund t’i besojnë shqiptarët premtimet e radhës së LSI, e cila pretendon të vijë në pushtet me Partinë Demokratike? Cilat janë premtimet e saj për periudhën kur ka qenë pjesë e qeverisjes me Partinë Demokratike? Sa i ka mbajtur premtimet LSI? Shqiptarja.com sjell në vëmendje 47 premtimet më të bujshme të LSI në zgjedhjet parlamentare të 2009, nga të cilat nuk ka mbajtur qoftë edhe një, qoftë edhe pjesërisht. Një tjetër tregues që konfirmon premtimet boshe është fakti se, shumë premtime të rëndësishme që LSI i ka bërë në 2009, i ka përsëritur dje në rezolutën e Konventës.