Kush është Albin Kurti, opozitari i përjetshëm që pritet të drejtojë Kosovën (Profil)

7 Tetor 2019, 18:10

Kush është njeriu i cili pritet të jetë kryeministri i ri i Kosovës?

Albin Kurti, lideri dhe themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, do të spikaste në politikë, por pa e provuar pushtetin në qeverisje.

Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë.

Ai filloi të spikasë gjatë periudhës së luftës nisur nga viti 1997, pasi në rezistencë kundër Milosheviçit, Albini u bë pjesë e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Grupi, me anë të protestave dhe të mosbindjes civile, kërkonte lirimin e ambienteve universitare nga pushtimi serb.

Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997, e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.

Kurti do të arrestohej në atë kohë, por si rezultat i presionit ndërkombëtar u lirua më 7 dhjetor 2001.

Më 23 prill 2003 Albini u diplomua në fakultetin e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile.

Pas çlirimit të Kosovës, Kurti punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën dhe në 2005 u themelua Vetëvendosja.

Me kalimin e kohës, Lëvizja Vetëvendosje u kthyer në parti, e cila ishte gjithmonë e gatshme të zgjidhte opozitën sesa një marrëveshje për pushtet.

Por problemet nuk kishin të ndalur për Kurtin, edhe njëherë, tashmë në Kosovën e pasluftës ai do të shikonte sërish qelinë e burgut.

Në vitin 2017 ai u arrestua bashkë me dy deputetë të tjerë pas përfundimit të një proteste të partive opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Përveç kësaj, partia e tij u përça në dy pjesë, pasi disa nga drejtuesit kryesorë si Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Shpend Ahmeti etj, u larguan nga Vetëvendosje e krijuan parti të re, për shkak të përplasjeve me Kurtin dhe “diktaturën” e tij në këtë parti.

Pavarësisht të gjitha këtyre, Albin Kurti arriti që të fitonte zgjedhjet e djeshme dhe tashmë ka të drejtën për të krijuar Qeverinë e re, edhe pse jo i vetëm.

Kurti u bë i njohur për idenë e tij të bashkimit kombëtar dhe shpesh ka pasur probleme me ndërkombëtarët, për shfaqjet e tij nacionaliste.

Por, nacionalizmi nuk është pika e tij e vetme e “errët”.

Albin Kurti është akuzuar shpesh për ndikimet islamiste në parti dhe se e ka kthyer Vetëvendosjen në një parti me bazë islamike.

Për më tepër ai akuzohet edhe si një komunisto-bolshevik.

Ndërkohë, edhe pse Albin Kurti gjatë fushatës ka pasur si pikë kryesore të premtimeve të tij luftën kundër korrupsionit, Bashkia e Prizrenit, që drejtohet pikërisht nga Vetëvendosje, konsiderohet si një ndër më të korruptuarat.

Ndaj, nga fjalët dhe idetë e një opozitari, tani duhet parë se si do të sillet Albin Kurti, si kryeministër.

Sepse të drejtosh një Qeveri, nuk është më një lojë, por një përgjegjësi e madhe.tema

    No videos found.