Gentian Malindi, 45 vjeç, është personi në kërkim nga policia për 137 kilogramët e kokainës të kapura në kontenierë me banane në Portin e Durrësit. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, raporton se ai ka qenë me dy të arrestuarit, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, të dy punonjës në portin e Durrësit, por i ka shpëtuar policisë pasi ka kuptuar se në pakot me kokainë mund të kishte GPS. Dy oficerët e sigurisë kanë hyrë në kontenierë duke disa pako me kokainë, më tej i kanë transportuar në një automjet me targa franceze ku ka qenë edhe Gentian Malindi, pronar i një anije peshkimi, “Eniwej”. Por ky i fundit kur ka parë se paketimi ishte ndryshe nga çfarë ishte kërkuar, ka kuptuar se po ndiqeshin nga policia, dhe ka mundur të arratiset. Në pranga përfunduan vetëm dy punonjësit e portit të Durrësit.
Sipas dëshmisë së dhënë nga një prej të arrestuarve, ata kanë hyrë në port nga ana e Urës së Dajlanit dhe kanë mundur të marrin disa nga pakot me drogë. Rruga e tyre ka vijuar drejt Shkëmbit të Kavajës, kur gjatë ecjes kanë kuptuar se diçka nuk shkonte. Ishte pikërisht Gentian Malindi që kuptoi se në pakot e kokainës kishte edhe oriz. Sipas dëshmisë dhënë para oficerëve të Ardian Begës, Malindi u ka kërkuar të mos flasin pasi në automjet mund të kishte çip.
Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për drogë. Në qershor të vitit 2013, Malindi është arrestuar pasi në një furgon mallrash u gjet nga policia 500 kilogramë kanabis, në një operacion të koduar "Sfida". Lënda narkotike vinte nga Lazarati.
Në vitin 2015, ai ka akuzuar Policinë Kufitare se bënin kontrolle të vazhdueshme në anijen e tij për drogë.