Deputeti socialist Musa Ulqini, relator në Komisionin parlamentar të Medias për paketën ligjore anti-shpifje që rregullon me ligj mediat online, tha se në Shqipëri është nevojë emergjente të rregullohet ky sektor. Ai tha se mendohet të jenë rreth 700 portale të cilat duhet të regjistrohen për të ditur pronarin që fshihet pas tyre, por mbi të gjitha edhe se kush i financon ato. "Ne po mbrojmë transparencën në këtë sektor, nga vijnë këto para, kush i financon këto portale, Edi Rama, Basha, Meta, janë para krimi, të pista, që vijnë nga fondacione ekstremiste islamike? Kush i financon? Ne po kërkojmë të regjistrohen, të bëjnë të qartë kush janë pronarët e tyre", tha ai.
Është e detyrueshme -tha Ulqini -të bëhet regjistrimi i medias, ndërsa raporti me AMA-në do të jetë vetëm një herë në vit, kur portalet duhet të dorëzojnë një raport vjetor me burimin e parave dhe si janë shpenzuar ato. Në rast të ankesave nga burime të ndryshme për portale të ndryshme, ato adresohen në AMA, nëse zgjidhja nuk vjen në këtë fazë, atëherë kalohet tek Këshilli i Ankesave, dhe vetëm në fazën e tretë nëse palët nuk bien dakord, kalohet në proces gjyqësor. "Ne kërkojmë të mbrohet privatësia e qytetarëve shqiptarë, sa vajza të reja janë cënuar nga këto portale dhe ku t'i gjejnë ata ta bëjnë përgënjeshtrimin,dhe ikin pasi kanë përjetuar drama të mëdha. Këtu futet AMA, Këshilli i Ankesave, pa shkuar tek gjyqi. Nëse portali thotë që kam faktet, dhe ligji ja garanton të drejtën të mos tregojë ku i gjeti faktet. Nëse nuk zgjidhet problemi tek AMA, shkon tek Këshilli i Ankesave, pastaj tek gjykata", tha deputeti socialist.
Referuar akuzave se Autoriteti i Mediave Audio-vizive është institucion politikë, Musa Ulqini tha se ky ligj rregullon edhe AMA-ën. "Nuk mund të jesh anëtar i AMA-s nëse ke qenë deputet, nëse je anëtar partie, prefekt, nëse ke pasur probleme me mediat elektronike, ka një mbrojtje të madhe këtu, dhe nuk mund të shkosh si Mark Marku sot të mbash fjalime, duhej të ikin ata. Duhet të vijnë nga gazetaria, akademikë, që nuk kanë lidhje me politikën", u shpreh ai.