Kush janë tre personat e pajetë që u nxorrën nga rrënojat dy ditë pas tërmetit, ndërpritet kërkimi në Thumanë

28 Nëntor 2019, 01:04

Pas mesnate, në orën 00:30 të 28 nëntorit, ekipet e shpëtimit kanë nxjerr nga rrënojat tre trupa të pajetë, një e moshuar, një vajzë, dhe një djalë 7-vjeçar. Rolejt Vata ishte i vogli që i kishte humbur nga duart nënës së tij teksa tentonin të shpëtonin nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Ela Vata shpëtoi bashkë me djalin tjetër, ndërsa gjyshja Hajrie Vata u nxorr nga gërmadhat në orët e para të kërkimeve ditën e parë. Rolejti i vogël u gjet nga forcat e ushtrisë dhe të policisë në krahët e një vajze gjithashtu e pajetë, e cila ende nuk është identifikuar. Bashkë me ta u nxorr edhe Anthi Cara, e moshuar. Ajo ishte e humbur nën rrënoja me mbesën e saj, por nuk dihet nëse vajza e gjetur është mbesa, Sadajana Cara. Kjo pasi, është e vështirë të bëhet identifikimi dhe pritet të merret përgjigje edhe nga morgu. Të afërm të personave të zhdukur që janë bërë pjesë e operacioneve të kërkimit thonë se ajo mund të jetë edhe Stela Cara, e cila është e fejuara e Almir Carës. Ky i fundit ka mbetur ende nën rrënoja, ndërsa nga familja e tij shpëtoi vetëm babai, Albert Cara. Nëna, motra dhe vëllai tjetër i Almirit humbën jetën dhe janë nxjerrë më parë prej rrënojave.