“Kush ndihet sot mbi ligjin, do japë llogari”, Basha: Diktatura mafioze do të shkatërrohet

10 Tetor 2018, 13:51 | Përditesimi i fundit: 2018-10-10 17:04:14

TIRANE-Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar përmes një deklarate për mediat lidhur me videon që publikoi deputeti demokrat, Ervin Salianji. Videoja, sipas Bashës, tregon se si shteti privat i Ramës fabrikon provat dhe dëshmitarët për të shpëtuar kriminelët.

Mbrëmë shqiptarët panë fytyrën e këtij shteti privat, deputet, drejtor policie dhe prokuror që fabrikojnë prova dhe dëshmitarë për të shpëtuar kriminelët. Drejtues të kësaj strukture janë edhe Xhafaj me Arta Markun. Rama, Xhafaj, Balla, Arta Marku, Ardi Veliu kanë komplotuar për të manipuluar të vërtetën dhe për të mbrojtur një trafikant droge, Agron Xhafajn.

Shteti i Ramës vendosi që të fabrikonte dëshmitarët me një qëllim; për për të shpëtuar Agron Xhafajn. Shteti i Ramës dhe vetë ai kërcënuan një oficer policie për të shpëtuar Rexhep Rrajën dhe Ballën, që është mbrojtësi i tij. Kur shteti sulmon gazetarët, denoncuesit dhe policët e ndershëm jemi në kushtet e një diktatore mafioze.

Policia e shkatërruar vijon që të jetë në shërbim të krimit. Emërimi i Arta Markut ka rezultuar një katastrofë.  Marku ka shkatërruar prokurorinë dhe hetimet për Tahirin, Dakon, Sejdinin, Gjiknurin, Manjën dhe drejtues të tjerë të qeverisë dhe shtetit.

Lulzim Basha

Në videon e publikuar mbrëmë nga Salianji, Alizoti shprehet se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në datë 1 qershor të këtij viti dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin, që i shkon për shtat maxhorancës për hetimet në kuadër të dosjes ‘Babale’.