Kush përdor qese plastike nga qershori i 2020 do të gjobitet deri në 1 mln e gjysmë lekë

23 Tetor 2019, 10:28

TIRANE- Duke filluar nga datat 1 qershor 2020, çdo person që hedh në treg, prodhon apo fut në Shqipëri qese plastike do të dënohet me gjobë nga 1 000 000 (një milion) deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë)  lekë.

Ndërsa përdoruesit pritet të gjobiten nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 100 000 (një qind mijë)  lekë.

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim disa amendime në ligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar” që parashikon shtrëngime administrative për importuesit, prodhuesit e madhe edhe përdoruesit e qeseve plastike.

Projektligji synon nxjerrjen që subjektet që merren me prodhimin dhe tregtimin e qeseve plastike në vendin tonë të ndalojnë aktivitetin e tyre para shkurtit të vitit të ardhshëm, duke lënë një afat 4-mujor deri në zbatimin e ligjit për gjobitjen e këtyre subjekteve.

Pjesë nga projektligji

Çdo person, që hedh në treg, prodhon, importon, apo fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 000 000 (një milion) deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë)  lekë.”

“25/2. Çdo person që përdor në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 100 000 (një qind mijë)  lekë.” 

Subjektet të cilat para hyrjes në fuqi të këtij ligji, prodhojnë, importojnë, apo hedhin në treg, në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29 të këtij ligji, ndalojnë ushtrimin e këtyre veprimtarive brenda datës 1 Shkurt 2020.

Subjektet të cilat fusin apo përdorin në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29 të këtij ligji, ndalojnë ushtrimin e këtyre veprimtarive brenda datës 1 Qershor 2020.

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerr aktin nënligjor në zbatim të pikës 3, të nenit 29 të këtij Ligji.

    No videos found.