Kushtetuesja lë në fuqi ligjin për kompensimin e pronave, rrëzohen ish-pronarët

24 Shkurt 2020, 16:27

Trajtimi dhe kompensimi i pronave do të vijojë sipas legjislacionit në fuqi. Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar të kalojë për shqyrtim në seancë plenare një kërkesë të ish-pronarëve për rrëzimin e një prej neneve më të rëndësishme të ligjit të vitit 2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji kanë rrëzuar që në dhomë këshillimi një padi të një grupi ish-pronarësh, të cilët kërkonin shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut të nenit 18 të ligjit për kompensimin e pronave. Neni 18 parashikonte rrugët e zgjidhjes e rasteve të mbivendosjes së titullit të pronësisë me një tjetër titull pronësie, një nga problemet më të mprehta të pronave, që ka shoqëruar pluralizmin shqiptar.