"Kushtetuesja"/ Vorpsi 'injoron' Metën dhe nis punën, betohet tek noterja dhe ia dërgon presidencës me postë!

14 Nëntor 2019, 16:00

TIRANE - Arta Vorpsi është betuar ditën e sotme në një formë të pazakontë si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, përpara noteres Miranda Xhemalçe, në përgjigje të refuzimit që kreu i shtetit Ilir Meta i bëri dje për organizimin e ceremonisë së betimit mbi kushtetutë në ambientet e Presidencës. Vorpsi, anëtarja e zgjedhur automatikisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pasi kreut të shtetit i kaloi afati ligjor prej 30 ditësh për të zgjedhur anëtarin e dytë, pas Besnik Muçit, ja ka dërguar me postë Presidencës betimin e saj në një deklaratë të noterizuar, dhe ka nisur menjëherë nga puna duke shkuar ditën e sotme në Gjykatë Kushtetuese.  Deri këtë të enjte Arta Vorpsi mbante postin e këshilltares ligjore të ish-gjyqtarit kushtetues, Gani Dizdari.

Veç presidentit Vorpsi i ka dërguar një kopje të deklaratës Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe një kopje Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se nuk është ende e qartë se çfarë vlere juridike mund të ketë një akt i tillë.

"Unë e nënshkruara Arta Vorpsi në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese të emëruar, bazuar në vendimin nr. 132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, botuar në Fletoren Zyrtare nr.151/2019 si dhe në nenin 8 të ligjit nr. 8577/2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi kushtetutë.

"Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mua do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë". Kjo deklaratë hartohet në 4 kopje, 1 kopje mbahet nga deklaruesi ndërsa 1 kpje i dërgohet presidentit të Republikës, 1 kopje i dërgohet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe 1 kopje i dërghet Gjykatës Kushtetuese", përmbyllet deklarata e Arta Vorpsit.

    No videos found.