Kuvend/ Një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, Ruçi: Solidariteti mundi ndarjen

26 Nëntor 2020, 10:33 | Përditesimi i fundit: 2020-11-26 17:14:53

Kuvendi i Shqipërisë e nisi sot seancën plenare me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi se fuqia, shpresa dhe besimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë. Sipas Ruçit solidariteti e dashuria  njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet.

"Zonja dhe zotërinj deputetë, si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit.  Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura.

51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijra familje mbetën të pastreha.

Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. Pushofshin në paqe! Të nderuar kolegë,

Tërmetit të 26 nëntorit, kësaj goditjeje natyrore iu kundërpërgjigj një solidaritet i fuqishëm  njerëzor.

Qindra mijëra qytetarë kontribuan me sa mundën për të lehtësuar barrën e përballimit të pasojave të tërmetit. Sfida e qytetarëve po mund sfidën e natyrës. Përgjigja e Qeverisëe institucioneve edhe solidariteti i qytetarëve shqiptarë inspiruan mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare.