Kryetari i PD foli edhe për problemet që sipas tij shqetësojnë sot shqiptarët, varfërinë, taksat e larta, krimi dhe korrupsioni.
Banka Botërore deklaron se rreth 1 milion shqiptarë mbijetojnë me rreth 5 dollarë në ditë, dhe se vetëm si pasojë e taksave, popullsia shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë, është rritur nga 22.6 për qind në 29.1 për qind. Kjo do të thotë se taksat e Edi Ramës vetëm rrisin varfërinë dhe pabarazinë dhe pasurojnë vetëm një grusht njerëzish.
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi hapur se PPP-te e qeverisë përbëjnë një rrezik thelbësor sepse ato janë të njëjta me huamarrjen dhe se qeveria duhet ta pezullojë dhënien e koncesioneve! OKB konfirmoi thellimin e mëtejshëm të varfërisë sepse gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit në 2008, kaluan në grupin e familjeve në nevojë dhe në varfëri në vitin 2016.
Freedom House raportoi se Shqipëria rrezikon rënien në autoritarizëm, ku një njeri i vetëm kontrollon të gjitha pushtetet duke kapur së fundi edhe Prokurinë dhe SHISH.
Interpol deklaron se tashmë Shqipëria është porta kryesore e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë. Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi në raportin e tij të fundit se gjatë vitit 2017, korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes në Shqipëri.
Lulzim Basha, kryetar i PD
