Kuvendi mblidhet pa opozitën, paralajmërimi i Xhafajt: Në shtator-tetor godasim grupet kriminale

3 Shtator 2018, 19:30

TIRANË- Ditën e sotme është zhvilluar seanca e parë parlamentare pas shkëputjes së pushimeve. Në sallë prezent kanë qënë vetëm deputetët e maxhorancës, ndërsa opozita (PD, LSI dhe aleatët e tjerë) siç edhe kishte paralajmëruar ka zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm në Shkodër.

Seancën e hapi kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili në fjalën e tij u bëri edhe njëherë thirrje palëve politike që të bashkëpunojnë për të shkuar më afër Europës. 

Ftoj të gjitha grupet politike që të ndalin luftën për pushtetin e radhës, beteja jonë e përbashkët është për integrimin në Europë. Ky proces do të jetë objektiv i Kuvendit, dhe mbetet i pandryshuar. Të gjithë së bashku duhet të mësojmë nga përvoja e parlamentit kroat, i cili ka mundësuar të gjithë kuadrin e përafrimit me ligjet e BE me konsensusin e të gjitha palëve.

Gramoz Ruçi, kreu i Kuvendit 

Në fjalën e tij, Ruçi përmendi edhe reformën në drejtësi duke u shprehur se ajo do të garantojë zbatimin e të drejtave të qytetarëve.

Fakti që 56% e gjyqtarëve u shkarkuan tregon që kjo ishte një domosdoshmëri për këtë sistem. Mosmiratimi i ligjit për Magjistratët  tregon se dakortësia nuk u mbështet nga ana e opozitës. Kemi rastin që ta korrigjojmë në këtë sistem të ri parlamentar. Nuk është në dorën e Kuvendit apo Qeverisë për t’i dhënë të drejtën qytetarëve. 

Qëllimi i reformës është garantimi i zbatimit të të drejtave të qytetarëve. Brenda këtij sesioni duhet të finalizohet ngritja e organeve të reja të drejtësisë . Këshilli për legjislacionin nuk përmbushi detyrën ndaj 5 vendimeve te Gjykatës Kushtetuese. Kostot e reformës ciladoqofshin jemi të dënuar t’i shërbejmë interesit publik.

Gramoz Ruçi, kreu i Kuvendit

Fjalën pas Ruçit e ka marrë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taluant Balla dhe pas tij ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kryefjala e fjalimit të tyre kanë qënë ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Shkodër dhe akuzat e opozitës ndaj qeverisë.

Balla: Në Konferencën e Kryetarëve që zhvilluam ditën e djeshme kemi rëndë dakord që në hapje të këtij sesioni të merrnin fjalën krerët e grupeve parlamentare për të kontribuar për një fillim të mbarë të kësaj legjislature. Por nga mediat jemi njoftuar se dy grupet e opozitës janë në Shkodër për të zhvilluar një takim mes tyre për çështje që kanë të bëjnë me rendin publik në Shkodër.

Prej vitesh rendi publik ka qenë problematik në atë pjesë të territorit. Shifrat janë të tilla që rendi publik prej vitesh ka qenë problematik në Shkodër dhe përsa i përket vrasjeve, në 2010 kur ministër ishte Basha, ato arritën edhe në nivelin më të lartë, 18 vetëm në Shkodër gjatë 2010, krahasuar me një shifër 8 vrasje gjatë 8 mujorit të 2018. Edhe gjatë 2012 ka qenë 18 dhe mesatarja ka qenë në qeverisjen e PD dhe 9 në mandatin tonë të parë. Ne jemi shumë të shqetësuar për jetët e humbura nga krimi. Zoti ministër kemi besim te puna juaj dhe presim reagimin sa më të shpejtë, një përgjigje kuptimpoltë ndaj kujtdo. Mediat të mos ushqejnë popullin me helmin e çorbës së SHQUP-it. Vëmendja jonë është tek njerëzit.

Xhafaj: Opozita po ushtron sulm agresiv të qëllimshëm për të nxirë imazhin e vendit dhe të policisë. Hetimet për rastet e Shkodrës po zhvillohen me intensitet. Kryetari i Grupit Parlamentar përmendi disa shifra, por kam përgjegjësinë të bëj publike disa shifra konkrete, shkallë vendi dhe posaçërisht për disa nga këto qarqe.  Vrasjet me dashje në Republikën e Shqipërisë, në mandatin e parë të Partisë Demokratike, kanë qenë rreth 230 vrasje, ose me një mesatare rreth 58 vrasjesh në vit; në mandatin e dytë të tyre, me një mesatare prej 72 vrasje në vit; në mandatin tonë të parë 2013-2017, mesatarja e vrasjeve në vit ka qenë 43, dhe për këtë vit deri tani që flasim janë 24 të tilla. Këto janë nga pikëpamja statistikore, numri i vrasjeve në shkallë Republike, le t’i krahasoj kush të dëshirojë: 58 mesatarja në mandatin e tyre të parë, 72 në mandatin e dytë; 43 në mandatin tonë të parë; 24 në këtë vit që po flasim. Kthehemi në Shkodër: në mandatin e tyre të parë, mesatarja ka qenë 12 vrasje në vit; në mandatin e dytë 15 vrasje në vit, mesatarja në vit e vrasjeve të ndodhura; në mandatin tonë të parë 9 vrasje; dhe për këtë vit janë 8, nga të cilat janë zbuluar 4 tani dhe janë në proces hetimi 4 vrasje të tjera. Nëse do t’i merrnim për vite, në vitin 2010 në Tiranë kanë ndodhur 25 vrasje; në 2013 - 31 vrasje; në 2017 - 9 vrasje; në 2018 - 6 vrasje. 
Në Durrës në 2010 - 15 të tilla; në 2013 – 13 vrasje; në 2017 - 6 vrasje; dhe në 2018 - 4 vrasje. Në Elbasan në 2010 - 11 të tilla; në 2013 - 4 vrasje; në 2017 dhe në 2018 respektivisht nga 1 vrasje. Në Shkodër siç e thashë 18, 11, 6 dhe 8, pa hyrë tek plagosjet e rënda. Në 2010 - shifra më e ulët, 13 plagosje të rënda në Shkodër, në 2 mandatet e tyre të mëparshme, kurse shifrat tona kanë qenë 2 në 2016; 6 në 2017 dhe 1 në 2018, pa hyrë tek veprat e tjera penale siç është vjedhjet me armë e tjera. Pra statistikisht as që ka shifër që mund të krahasohet dhe po e them këtu me përgjegjësi të madhe publike, jo vetëm për këto lloj veprash penale, por për të gjithë treguesit statistiskorë të krimit të këtij viti, krahasimisht me të gjitha vitet që ka qeverisur Partia Demokratike. Këto janë raste të rënda por ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtyre ngjarjeve. Kemi përgjegjesi përballë qytetarëve. Ata do të duhet t’i japin llogari qytetareve por shifrat e vrasjeve me dashje në kohën kur qeverisnin. Kemi bërë luftë intensive me grupet kriminale. Ato nuk u krijuan as dje, as pardje por kanë aktivitet të gjatë në vend. Operacioni "Forca e Ligjit" po vijon dhe do të japë rezultate.  Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë time. Jemi në luftë intensive me grupet kriminale. Kemi bërë skanim e profilit të tyre. Gjatë muajve Shtator-Tetor në sajë të provave të mbledhura, në sajë të punës intensive që kemi bërë gjatë kësaj periudhe, jemi të bindur që do të goditen një pjesë e mirë e këtyre grupeve kriminale, gjithashtu.