Kuvendi miraton dekretet e Metës për ndryshimet në qeveri, opozita braktis seancën- Për lajme të tjera klikoni në www.shqiptarja.com

16 Janar 2019, 21:16

Maxhoranca miratoi sot në një seancë të jashtëzakonshme e cila zgjati rreth 30 minuta dhe u shoqërua me debate dhe tensione me opozitën, tetë dekretetet e presidentit Ilir Meta për ndryshimet në qeveri. Që në nisje të seancës së Kuvendit, opozita me kërkesë të Edmond Spahos dhe Petrit Vasilit, përkatësisht kryetar i grupit parlamentar të PD dhe LSI, kërkoi debate për dekretet, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga maxhoranca si e pabazuar në rregullore. Shumica parlamentare përmes kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se kërkesa e opozitës nuk është e parashikuar në asnjë nen të rregullores së Kuvendit. Ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi tha se nuk ka ndodhur kurrë në të paktën 31 vite, që seanca për votimin e dekreteve të ministrave të shoqërohet me diskutime. 

Pas debateve, opozita braktisi seancën dhe mbajti të bllokuar foltoren e Kuvendit për disa minuta, ndërsa kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh me tone të ashpra kur akuzoi Ramën se i mbylli gojën opozitarizmit, duke moslejuar debatin për dekretet e Metës si dhe shtoi se largimi i kryeministrit është emergjencë kombëtare. Teksa opozita linte ulëset e Kuvendit, maxhoranca votoi tetë dekretet e Metës për ndryshimet në qeveri përfshirë edhe emërimin e Erion Braçes në postin e zv/kryeministrit dhe Elisa Spiropalit në ministrinë e re që rikrijohet pas më shumë se një viti, atë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Dekreteve i mungon emri i shkarkimit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, pasi presidenti Meta refuzoi propozimin për emërimin e Gent Cakajt në vend të tij dhe për rrjedhojë nuk ka dekretuar as lirimin e tij nga detyra. Ky ngërç detyroi kryeministrin Edi Rama t'i propozojë Metës emrin e vet për ministër të Jashtëm, propozim për të cilin Meta s'është shprehur ende.

Si u votuan dekretet e Metës për ndryshimet në Qeveri

Ministër i Ekonomisë dhe Financave

Ikën Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj si ministre e Ekonomisë

77 vota pro,                 77 vota pro       

Ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës

Ikën Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku

76 vota pro,                 77 vota pro

Ministre e Kulturës

Ikën Mirela Kumbaro, vjen Elva Margariti 

77 vota pro,                 77 vota pro 

Ministër i Arsimit, Sporteve dhe Rinisë

Ikën Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini

77 vota pro,               77 vota pro 

Ministër për Sipërmarrjen

Ikën Sonila Qato, vjen Eduard Shalsi

77 vota pro,             77 vota pro

Ministër i Bujqësisë

Ikën Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi

77 vota pro,          77 vota pro

Zëvendës- kryeministër

Ikën Senida Mesi, vjen Erion Braçe

76 vota pro,             77 vota pro

Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin

Elisa Spiropali

77 vota pro

    No videos found.