Kuvendi miraton marrëveshjen me Pfizer, Rama: Mund të porositim sasi të tjera! Tre skenarët e vaksinimit

18 Janar 2021, 21:16 | Përditesimi: 18 Janar 2021, 21:16

Ditën e sotme (18 janar) Kuvendi i Shqipërisë ka filluar sesionin e ri parlamentar, që është edhe i fundit i kësaj legjislature. Parlamenti miratoi me 94 vota tre aktet normative për sigurimin e vaksinës anti covid. Kryeministri Edi Rama tha se procesi i vaksinimit synohet të mbyllet brenda 14 muajve dhe zbuloi se sapo është firmosur marrëveshja me Pfizer për 500 mijë dozat e para.

Në fjalën e tij hyrëse të seancës së sotme, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se ky Kuvend ka punuar në situatë të vështirë, duke iu referuar edhe braktisjes që i bëri opozita Kuvendit.

Disa minuta para se të niste fjalën në Kuvend, kryeministri Edi Rama firmosi marrëveshjen me kompaninë Pfizer, për vaksinat anti-Covid. Marrëveshja me Pfizer u mbajt e fshehtë, por kryeministri Rama tha se ka lënë hapësirë edhe për marrëveshje të tjera me vaksinat që pritet të marrin miratimin në nivel europian si ajo AstraZeneca. Për të hequr cdo dyshim, kryeministri paralajmëroi se mbërritja e dozave të tjera të vaksinës do jetë tërësisht transparente.  

Kërkesa e dy deputetëve Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni për bërjen transparencë për marrëveshjen nuk mjaftoi pasi 94 ligjvënës të tjerë votuan pro 3 akteve normative për marrëveshjen Pfizer, pa ditur sa doza vaksinash anti-covid do të marrim dhe sa do të kushtojë.

b.ha./Shqiptarja.com