Laboratori i drogës në Has, Prokuroria kërkon mbi 140 vite burg për 18 të arrestuarit e 'Dosjes 339'!

14 Dhjetor 2020, 14:03 | Përditesimi i fundit: 2020-12-14 14:39:56

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë sot pretencën për 18 të arrestuarsi si pjesë e “Dosjes 339”, për laboratorin e drogës në Has, 

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se Prokuroria kërkon 8 vite burg për Gjevi Ndokën, 6.8 vite burg për për Altin Avdyli , 10 vite burg për Esat Mehmetin, Petrit Suljemani 8 vite, Sajmir Sulejmani 8 vite, Hajri Seferi 10 vite, Orges Jahoelezi 6.8 vite, Shkëlqim Avdyli 4 vite, Mario Zeqiri 4.8 vite, Elton Shehu 4.8 vite, Ardit Gjyriqi 4 vite, Admir Hoxha 12 vite; Hekuran Hoxha njohur si Roni 10 vite, Vehbi Berushi 8 vite, Anila Shuti 8 vite, Xhavit Shuti dhe Flamur Cela, këto 2 të fundit me nga 12 vite.

Mësohet se SPAK ka kërkuar në total më shumë se 140 vite burg për të arrestuarit. Mes tyre kreu i grupit të Avdylajve, Altin Avdylaj, i cili duhet të dënohet me 6.8 vite burg. Po me kaq vite SPAK kërkon të dënohet edhe Orges Jahoelezi. Gjithashtu, organi i akuzës kërkon që vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Gjevi Ndoka, të dënohet me 8 vite burg.

Koka e grupit që drejtonte laboratorin akuzohet se është Admir Hoxha. Anëtarët e grupit akuzohen për “Trafik i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pastrim parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Prokuroria i akuzon për trafik të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si edhe laboratorin në Has. Por si lindi kjo dosje? 

Kjo dosje penale ka filluar të ndërtohet në dhjetor 2016 nga prokurori Anton Martini, ku fillimisht në Kavajë janë arrestuar shtetasit Ramadan Shabani, Enerd Duka, Marjus Xhihani etj, persona këta tashmë të dënuar nga gjykata e Kavajës për tregtim të heroinës. Fill pas kësaj indicie, prokuroria ka marë informacion se prapa shpërndarësve të heroinës të arrestuar në Kavajë, qëndrojnë persona të rëndësishëm dhe me influencë.