Në emisionin REPOLITIX të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv janë zbardhur mbrëmjen e sotme detaje të reja për laboratorin e heroinës që u bllokua në fshatin Brenog të Hasit, ndërsa u sekuestruan mbi 100 kg heroinë e opium, por edhe kokainë dhe kanabis.
Mes pesë personave të arrestuar janë Mustaf Shuti 76-vjeç me djalin e tij, Xhevitin 48-vjeç dhe nipin A. Shuti 15-vjeç. I arrestuari i katërt është Flamur Çela, punonjës i zjarrfikëses në Kukës, i cili ndodhet në Drejtorinë e qarkut të Shkodrës, ndërsa të tjerët në Kukës. Ai dyshohet se ka qenë shofer i grupit kriminal që vepronte në Has.
Xhavit Shuti ka pasur një kompani udhëtarësh, por në 2013 ishte çregjistruar, pak kohë pasi e kishte hapur. Report Tv ka zbuluar se ka qenë edhe në Zelandën e Re. Xhavit Shuti ishte me banim në Durrës, ndërsa kishte të afërmit në Has.
Sipas burimeve të Report Tv, gjatë gjithë kohës policia e ka pasur grupin kriminal në vëzhgim duke zbuluar të gjithë rrjetin nga furnitorët deri te ekspertët. Janë përgjuar dhe vëzhguar personat që hynin e dilnin në laborator.
Pjesë e grupit kriminal janë edhe disa shqiptarë nga Kosova. Sipas burimeve të Report Tv janë më shumë se 20 persona të cilët janë pjesë e këtij rrjeti, të cilët janë identifikuar, duke filluar nga shoferët, furnitorët dhe ekspertët e përgatitjes së heroinës. Heroina përgatitej nga dy persona të huaj, të cilët ishin ekspertë në nxjerrjen e heroinës nga bima e opiumit.
Personi që drejtonte punën në laborator mësohet se ishte një emër i njohur në zonë, i cili është identifikuar nga policia. Ai ishte pjesë e një grupi kriminal në zonë mjaft të fuqishëm, të cilët kanë qenë aktiv vitet e fundit. Madje ky person është me orgjinë pranë zonës ku u gjet laboratori, por mbetet mister se kush është financuesi i grupi kriminal që ndërtoi laboratorin dhe drejtonte rrjetin e transportit të heroinës nga Afganistani.
Çfarë u gjet brenda laboratorit?
Brenda magazinës janë gjetur bidonë me aceton si dhe një sasi e konsiderueshme opiumi. Opiumi është një lloj bime që ka formën e një lulëkuqe dhe farat e saj janë baza për prodhimin e heroinës. Kjo lule nuk është kultivuar këtu, sepse Shqipëria nuk ka klimë për t’u rritur dhe është sjellë nga jashtë.
Janë gjetur përzierës dhe makineri që shërbenin për prodhimin e lëndës finale heroinë. Kishte teknologji moderne nga pjesa e përpunimit të opiumit deri tek presimi. Një makinë që quhet pres që e bën heroinën në gjendje të ngurtë.
Tubo me natriban që mbështillet droga gjithashtu janë sekuestruar. Droga sipas policisë ka formën e heroinës, por do çohet në laborator për ta përcaktuar saktë. Gjithë ambienti është nën sekuestro sepse po kërkohen gjurmë gishtash për të parë se kush ka qenë aty.
Vijon....
