Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e sotme të Komitetit të Rindërtimit se objektivi i qeverisë është që brenda vitit 2020 të gjitha ata që jetojnë në fshat dhe u është shembur banesa, duhet të kenë shtëpitë e reja, ndërsa la detyrë që deri në fund të vitit 2021 të kenë filluar akomodimet e banorëve që sot janë me qira në zonat urbane.
"Objektivi është që brenda 2020 të gjithë ata që sot jetojnë në fshat, që për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qirave në zonat urbane dhe thjeshtë kanë kërkuar një çadër, duhet të futen në shtëpitë e reja. Asnjë nuk mundet dot ta lëmë që të kalojë vitin e ri 2021 në çadër.
Ky është objektivi i parë dhe besoj që do të jemi gati që me pranverën dhe maksimalisht marsi të fillojë spostimi i familjeve që jetojnë në fshat, në shtëpitë e reja. Gjithashtu brenda 9 mujorit të parë duhet të rindërtohen shkollat dhe spitalet. Viti i ri shkollor për fëmijët duhet të nisë në shkollat e reja. Lagjet e reja, ambicia është që brenda 6 mujorit të parë ti kemi në kantier, do të kërkojnë më shumë kohë.
Deri në fund të vitit 2021 të kenë filluar akomodimet e banorëve që sot janë me qira. Pika e tretë lidhet me donacionet, pasi u përmendën vetëm të voglat, ata që janë mbledhur nga donatorë të vegjël. Ndërsa donacionet në drejtim të shtetit; kemi 65 lekë të reja nga donatorët e vegjël, kemi 414 mln lekë të reja, 8.64 mln euro dhe 1.6 mln dollarë dhe angazhime të marra të marra nga donatorë ndërkombëtarë, natyrisht kjo është një shifër që do të lëvizë, si rezultat i ndërveprimeve që po bëjmë por edhe me kurorëzimin e konferencës së donatorëve.