Lagjja e re në Kombinat/ 5 familjet e para firmosin kontratat e porosive, Veliaj: Mos dëgjoni legjendat urbane

19 Shkurt 2021, 15:52 | Përditesimi i fundit: 2021-02-19 17:40:32

TIRANË- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, u dorëzuan sot kontratat e firmosura pesë familjeve, pjesë e grupit të parë me 200 familje që firmosën të parat kontratën e porosisë, pas miratimit nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

“Do të vazhdojmë bashkë me shërbimin noterial, të firmosim të gjitha kontratat në bashki, e më pas të transferohemi në Kombinat, ku të gjithë banorët do të nënshkruajnë kontratën e porosisë”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se vendimi për të shembur pallatet e vjetra, të dëmtuara nga tërmetet, ishte vendimi më i vështirë, edhe për shkak të nostalgjisë, por theksoi se duhej bërë për të mirën e banorëve.

Është kollaj të bësh politikë me frikërat që kanë njerëzit, është kollaj t’i përçash në ditën e tyre të fatkeqësisë, është shumë kollaj ta mbjellësh helmin e ndasisë e, për çështje të fushatës, të injektosh prikë tek njerëzit. Por, është shumë e vështirë të thuash të vërtetën, është shumë më vështirë të marrësh këto vendime, që nuk janë të lehta. Kur të shkruhet historia e këtij qyteti, do ketë një vend edhe për të diskutuar çështjen e tërmetit; kush hapi panik e shtoi vilat dhe nuk dha asnjë ndihmë, dhe kush u mundua që duke besuar te shkenca, tek inxhinierët, te testet laboratorike dhe arkitektët, të bëjë mirë”, sqaroi Veliaj.

Apartamentet që do të marrin banorët do të vlejnë më shumë, me hapësira më të mëdha se ato që kanë pasur. Veliaj shprehu bindjen se dy lagjet e reja që do të ndërtohen, “5 Maji” dhe “KombinArt”, do të rrisin vlerën e pronës, ashtu siç ka ndodhur në zona të tjera të qytetit, të cilat janë transformuar rrënjësisht. Ai sqaroi mënyrën se si do të vijojë procesi i pajisjes me kontratat e apartamenteve për të 200 familjet, ndërsa theksoi se ky është një projekt social dhe nuk është për ata që kanë nga 4 apo 5 shtëpi.

“Shtëpia i jepet dikujt që s’ka shtëpi. Nëse dikush ka 4 ose 5 shtëpi dhe ajo që iu dëmtua nga tërmeti ishte thjesht një prej tyre, ky projekt social nuk është për ta. Ky projekt social është për ata që realisht kanë nevojë për strehim. Ne do të vazhdojmë të paguajmë bonusin e qirasë deri ditën kur kjo kontratë-porosie do të përkthehet në hipotekë dhe derisa të marrin çelësat e shtëpisë së re”, vijoi Veliaj.