Lagjja e re në Spitallë/ Rama inspekton punimet: Nuk bëhet fjalë më për kënetë, do ndërtohet gjithçka nga e para

26 Mars 2021, 13:52 | Përditesimi i fundit: 2021-03-26 13:59:50

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Durrës ku shoqërohej edhe nga ministri Arben Ahmetaj, inspektoi edhe punimet  që po kryhen për ndërtimin e lagjes së re të Spitallës.

Duke parë ecurinë e punimeve, Kryeministri tha se lagjja e re në përfundimin do të jetë një nga lagjet më të bukura të Durrësit, ku çdo grupmoshë do të gjejë hapësirën e saj të munguar prej dekadash në infrastrukturat e vjetra dhe të rrënuara tashmë. 

Kryeministri u shpreh se Spitalla nuk do të jetë më kënetë, por një lagje supermodel, ku çdo gjë do të ndërtohet nga e para me standarde europiane.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët që janë në pritje të hyjnë në shtëpi, në apartamente, ta shohin që këtu nuk bëhet fjalë për ardhje në kënetë, këtu bëhet fjalë për ardhje në një lagje supermodel. Pa diskutim do të jetë lagjja më e bukur e Durrësit, pasi këtu do të ndërtohet gjithçka nga e para dhe nuk do të ketë nga ato ndërtimet e së kaluarës, një pa leje këtu e një pa leje atje.  Infrastruktura do të jetë e gjitha me standarde si në lagjet europiane. Nga pikëpamja e kubaturave dhe arkitekturës flet vetë projekti. Do të jenë të jenë të gjithë hapësirat e nevojshme për parkingje. Shkolla kopshti, çerdhja, qendra shëndetësore, plus lidhja që do të bëhet me magjistralen, do të jetë një nga ato lagjet rezidenciale që janë jo në zemër të qytetit, po që janë në kufij të tij dhe janë të preferueshme nga pikëpamja mjedisore. Me EkoParkun, me Parkun Fotovoltaik që do të prodhojë energji të pastër diellore, me Zonën Ekonomike që është poshtë, me kampusin universitar dhe me stadiumin e ri, është e gjitha një botë e re që po lind këtu dhe po zhvillohet. Brenda paraverës së ardhshme do të jetë një realitet.