Lahuta serbe në UNESCO, studiuesi: Prishtina s’ka status për në UNESCO, t’i japë pëlqimin Tiranës

7 Dhjetor 2018, 16:45

Studiuesi Zymer Neziri nga Kosova, një nga përgatitësit e dosjes prej 100 mijë vargjeve të Eposit të Kreshnikëve, të mbledhur në pesë shtete ku jetojnë shqiptarët, ka bërë thirrje vazhdimisht që kjo pasuri duhet të mbrohet nga UNESCO. Profesor Neziri për “Report Tv” regjistrimin e lahutës (gusël), si pasuri serbe, pjesë e listës së Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO e quan këtë një lajm të keq për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. 

Po, ishte lajm i keq ky për regjistrimin e lahutës si pasuri serbe në UNESCO, ndonëse ajo e ka vendin aty, por nuk është pasuri e një populli. Ajo bën pjesë ndër veglat më të vjetra kordofone me një tel. Ka pasur përhapje të madhe. Para 18 muajsh e këndej ka pasur mundësi për reagim efektiv, pra, në kohën kur Serbia ka aplikuar me këtë projekt. Vendet anëtare këtë e kanë ditur, sepse i kanë ambasadorët e tyre në Paris.

Zymer Neziri, Studiues
Ndërsa, përsa i përket vendimit që UNESCO ka marrë  ai shprehet se:

Vlerësuesit e projektit kanë vepruar politikisht, sepse lahuta nuk është instrument muzikor vetëm i serbëve. Janë disa popuj që e përdorin, kurse shqiptarët e përdorin në pesë shtete të Ballkanit, sidomos për Eposin e Kreshnikëve. Kjo u dëshmua edhe me projektin tonë E5, 2012-2016, në Ballkan, që solli 15 vëllime të reja të Eposit të Kreshnikëve në fondin kombëtar, nga rreth 300 rapsodë e tregimtarë. Projekti u vlerësua nga Europa Nostra në Madrid, në maj 2016, me Mendim Special, në kategorinë hulumtim.