Lajçak kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës/ Analisti Arton Demhasa: Kërkesë e papranueshme

16 Tetor 2020, 18:12

“ Është thënë qartë se ajo që është premtuar duhet të realizohet, përfshirë Asociacionin. Është e logjikshme që të ndryshojë Kushtetuta. Nuk ka thënë askush se nuk guxon të ndodh. Kushtetuta nuk është Bibël” është kjo deklaratë e të dërguarit special për Dialogun Kosovë-Serbi, gjatë konferencës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, e cila ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë. Në një intervistë për Report TV, analisti Arton Demhasaj u shpreh se reagimet me së shumti po bëhen për shkak të vendit ku foli Lajçak.

” Kjo deklaratë po diskutohet në aspektin negativ, sepse në Prishtinë nuk ka pati asnjë deklaratë të tillë. Një gjë e tillë u përmend në Serbi, në takim me presidentin serb Vuçiç, duke dhënë kështu shenja se kushtetuta e Kosovës të ndërrohet në Serbi. Në vend që të kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë. Lajçak nuk kërkon ndryshimin e kushtetutës së Serbisë, e cila ka të shkruar në preambulën e saj që Kosova është pjesë e saj", tha Arton Demhasaj. 

Por kjo sjellje ka shkaktuar shqetësim jo vetëm në popullatë por edhe në mesin e liderëve politikë.

" Pas deklaratës së Lajçak në Beograd se duhet të ndryshohet kushtetuta kanë reaguar të gjithë opinioni politik kosovar. Ka reaguar edhe kryeministri kosovar Avdullah Hoti, lideri i partisë në pushtet LDK-së, po ashtu edhe drejtues të Vetëvendosjes. Të gjithë u shprehën të të njëjtit mendim se nuk duhet të lejohet ndryshimi i kushtetutës së Kosovës, për ti krijuar hapësirë Asociacionit të Komunave Serbe, me kompetenca ekzekutive që do të krijonte një nivel të tretë të pushtetit në Kosovë", tha Demhasaj.

Demhasaj e thekson se një deklaratë e tillë do të mund dëmtojë dialogon mes palëve

“ Prandaj mendoj se kjo është tejet e rrezikshme dhe një pengesë në dialogun e mëtejshëm të dialogut Kosovë-Serbi, sa kohë emisari vetë i dërguari i BE, në Prishtinë bën deklarata të tjera ndërsa në Serbi të tjera. Madje kërkon nga Beogradi diçka që ka të bëjë me Kosovën," theksoi analisti kosovar. 

Analisti thotë se qendrime të tilla nga përfaqësues të një rangu të lartë ndërkombëtar, nxisin pakënaqësi në shoqërinë kosovare.