Lajmi i rremë për tërmetin, deputeti i PS, Alket Hyseni: Ligj i ri rregullativ për Fake News

23 Shtator 2019, 15:24

Pas panikut që u krijua mbrëmjen e së dielës si rrjedhojë e një lajmi të rremë për një tërmet 6 ballë që do prekte vendin tonë, deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni propozon një legjislacion të posaçëm për të dhënë penalitetin e duhur për këdo që abuzon me lajme të tilla.

Nga studio e Report Tv, Hyseni tha se duhet ndërtuar një kuadër ligjor rregullativ pikërisht për të ndaluar fake news. Sipas tij, ka modele shumë të mira që mund të përshtaten me kushtet shqiptare, në mënyrë që mos të preken parimet kushtetuese, dhe standardet e fjalës së lirë.

“Qëllimi që ne kemi është perfekt. Ne duhet në konsultë me të gjithë aktorët e mundshëm, duhet të hedhim në letër dhe më pas në ligj, një kuadër ligjor rregullativ për të ndaluar fake news. Ka modele dhe ti përshtatim në kushtet shqiptare. Jemi të hapur të bëjmë diskutime. Shqetësimi i prekjes së disa standardeve duhet marrë për bazë dhe ne duhet të kemi në fokus ruajtjen e parimeve kushtetuese, por çdo gjë e kornizuar në një legjislacion që rregullon profesionalizmin e gazetarisë”. ka thënë Hyseni.