Lame: Nesër mund të ikni në protestën e PD-së, por të hënën shkoni regjistroni banesat

24 Maj 2019, 14:05 | Përditesimi i fundit: 2019-05-24 16:06:16

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame u bëri thirrje qytetarëve ditën e sotme që duke filluar nga dita e hënë të dorëzojnë dokumentacionin për të regjistruar banesat apo trojet e tyre. Ai tha se janë 12 deri në 13 mijë banesa të paregjistruara.

"Sot në të gjithë vendin janë 12-13 mijë banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër etj. E them me përgjegjësi se në një pjesë të  këtyre rasteve procesi i dhënies së trojeve ka qenë i parregullt dhe i paligjshëm" tha ai.

Nesër është dita kur opozita ka paralajmëruar protestën e radhës dhe Lame nuk kurseu batutat. "Nesër qytetarët mund të shkojnë, ata që janë të interesuar të ndjekin edhe protestën e opozitës, por të hënën të fillojnë të plotësojnë dokumentacionin përkatës me qëllim që të ligjërojnë banesën dhe truallin e tyre pranë zyrave tona të Kadastrës" përfundoi ai.