Lamtumirë major Tanushi/ Djemtë dhe shoku i plagosur në lot, Rama: Asgjë nuk vlen sa kujtimi i mirë

16 Maj 2019, 17:53

Edhe pse prej disa ditësh të gjithë shpresuan dhe u lutën që major, Klodian Tanushi të shpëtonte gjallë, ai nuk ia doli dot dhë humbi betejën me jetën.

Ditën e sotme atij i është dhënë lamtumira e fundit, ku në nder të tij kanë bërë homazhe qindra të afërm, familjarë ushtarakë e personalitete të rëndësishme të vendit tonë. 'Dëshmori i Atdheut', major Klodian Tanushi,  ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni pas shpërthimit të një mine. Në nder të komandantit të kontigjentit shqiptar në Letoni sot është shpallur ditë zie kombëtare, ku në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë.

Në këtë ceremoni të  homazheve të pranishëm kanë qënë edhe tre fëmijët e major Tanushit, të cilët me lot në sy i kanë dhënë lamtumirën babit të tyre. Gjithashtu homazhe për komandatin e rënë në detyrë ka bërë kolegu i tij, Julian Kapaj i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi i minës. Minë e cila u mori jetën Klodianit dhe Zarife Hasanajt.

Arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar u përcioll në Varrezat e Dëshmorëve, ku aty major Tanushi do të prehet përgjithmonë. Majori la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë, më të voglën vajzën vetëm një vjeç.