Lautaro Mertinez heroi i Interit, zikaltërit vendosin tjetër 'gurë' në murin e titullit

14 Mars 2021, 18:39

Inter ka vendosur një tjetër gurë në murin e titullit kampion. Skuadra zikaltër ia ka dalë të fitojë 1-2 kundër Torinos në atë që rezultoi një transfertë tepër e vështirë.

Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa në të dytën Lukaku do të zhbllokonte me penalltinë e fituar nga Lautaro Martinez, i cili më vonë do të rezultonte njeriu i ndeshjes. Pas golit të belgut Torino rriti presionin dhe falë Sanabria-s rivendosi përkohësisht baraspeshën. Nga ky moment ndeshja dha përshtypjen e një ‘paqeje’, por flamurin e bardhë e shmangu Lautaro Martinez, që realizoi një gol fantastik me kokë.

Me këtë fitore, pas 27 javësh kampionat, Inter vijon në vendin e parë me 65 pikë, 9 më shumë se Milani i vendit të dytë që sonte luan kundër Napolit.

Ndërkohë po në orën 15:00 Roma ka pësuar një disfatë kundër Parmës me rezultatin 2-0. Vendasit realizuan në pjesën e parë me Mihaila-n, ndërsa në të dytën Hermani. Me këtë humbje verdhekuqtë hedhin një hap të gabur për zonën Champions, pasi aktualisht renditen në vendin e pestë me 50 pikë, 2 më pak se Atalanta e vendit të katërt.