Lazarat, tentuan të kalonin lumin por makinën e mori rrjedha, humbin jetën 2 elektricistët e OSHEE

17 Shkurt 2021, 15:25

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesnatë në Gjirokastër, ku një makinë e OSHEE ka rënë në lumin Drino përballë fshatit Lazarat dhe si pasojë kanë humbur jetën 2 elektricistët, Selfo Kallfa 52 vjeç dhe Ismet Isaraj 64 vjeç.

Report TV mëson se dy punonjësit e OSHEE në rajonin Gjirokastër, ishin duke inspektuar zonën lindore të luginës pasi kishte avari në linjat e përcjelljes së rrymës elektrike. Ata kanë dashur të kalojnë nga njëri kah në tjetrin por si duket lumi ka pasur shumë ujë dhe makina nuk e ka vijuar dot lëvizjen e si pasojë është përmbysur. Punonjësit e OSHEE s'kanë mundur dot të dalin, ndërsa trupat e tyre janë nxjerrë pas shumë orësh. Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës janë njoftuar menjëherë forcat e rendit dhe më pas forcat e specializuara polumbare.

Avaria është konstatuar në fshatin "Asim Zenel", ku kanë shkuar për të ndërhyrë dy elektricistët. Makina ka rënë në rrjedhën e lumit, ndërkohë që dy elektricistët nuk kanë mundur dot të dalin për shkak të thellësisë. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia e Gjirokastrës së bashku me PMNZSH për të ndërhyrë. Për shkak të thellësisë dhe motit të acartë, autoritetet vendore policore kanë kërkuar nga kryeqyteti polumbarë për të nxjerrë automjetin.

Situata u monitorua nga kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, prefekti Odise Kote dhe drejtori i Policisë së Gjirokastrës Fatmir Hoxha, deri në nxjerrjen nga thellësia të trupave dhe automjetit të OSHEE.