'Le ta dëgjojë nesër e gjithë bota'! Meta bëhet nostalgjik një ditë para tubimit: Kur u përballëm me kupolën e diktaturës

1 Mars 2020, 08:21

TIRANE- Një ditë nga tubimi anti-qeveritar, presidenti Ilir Meta është bërë nostalgjik për lëvizjen e Dhjetorit 30 vite më parë ku shqiptarët u ngritën kundër regjimit komunist. Ai kujton emocionet kur bashkë me Arben Imamin, ish-ministrin e mbrojtjes në kohë e qeverisë Berisha, protestuan kundër kupolës së diktaturës. Meta sjell edhe pamjet e thirjeve të tyre asokohe për një Shqipëri demokratike të cilën ai sot e ka transformuar në një thirrje për Shqipëri europiane.

"Kurrë nuk e mendoja se pas 30 viteve do të vinte kjo ditë, që të ftoja më 2 mars të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për të mbrojtur fitoren më të madhe të popullit tonë, pluralizmin politik, lirinë dhe demokracinë.
Vetëm paprekshmëria e Kushtetutës dhe ndëshkimi i merituar i puçistëve që e kanë dhunuar atë, do ta mbrojë popullin tonë nga instalimi i një regjimi tiranik njëpartiak dhe kleptokratik.
Po ndaj me ju disa emocione të miat kur një nga ish-drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Studentore, Arben Imami më thërriste mua dhe disa studentë të rinj për të shkuar në përballjen finale me kupolën e diktaturës, që u detyrua të pranonte kapitullimin e regjimit më të pashembullt shtypës dhe izolues në kontinent.
Le ta dëgjojë nesër e gjithë bota demokratike thirrjen e popullit shqiptar: E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA!", 
shkruan Meta.