'Mori rreth 10 mln lekë ryshfet, iu gjet dhe drogë'! Dy të arrestuar, mes tyre punonjësi i IKMT, lejoi ndërtimet pa leje në Ksamil

13 Maj 2020, 08:41 | Përditesimi i fundit: 2020-05-13 13:37:11

Dy persona janë arrestuar, mes të cilëve një punonjës i IKMT pasi akuzohet se ka marrë ryshfet prej rreth 10 milionë lekësh për të mos prishur një ndërtim në zonën e Ksamilit nga një qytetar. Policia e Sarandës dhe Forcat Operacionale kanë shoqëruar mbrëmjen e djeshme 7 persona, mes të cilëve 5 janë punonjës të Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, pasi dyshohet se kanë lejuar ndërtimet pa leje në zonat e plazheve të Ksamilit.

Nga 7 personat e shoqëruar, për dy prej tyre është lëshuar edhe urdhër arresti, një qytetar nga Saranda dhe një punonjës i IKMT Tiranë, të cilët janë transferuar në Tiranë.

Dy të arrestuarit janë Altin Bogdani, 35-vjeç nga Tirana, Inspektor i verifikimeve në terren në Drejtorinë e Përgjithshme të IKMT Tiranë  dhe Vasillaq Vito, 43-vjec nga Saranda.

Bogdani akuzohet se ka marre ryshfet 5000 euro dhe 350.000 lek te reja nga shtetasit Vasillaq Vito, për të mos i prishur një pjesë të një objekti në Ksamil. Bëhet fjalë për një ndërtesë në Ksamil, ku do të bëhej një shtesë e paligjshme.  

Gjatë kontrollit të ushtruar Bogdanit, ju gjeten 5000 euro, 350.000 lek, 3 celulare dhe një sasi prej 1.56 gram “cannabis sativa”.

Policia ka sekuestruar edhe një automjet të IKMT, i cili ndodhet i bllokuar në Komisariatin e policisë Sarandë.