Leli për Report Tv: Pasdite nis shpërndarja e ushqimeve tek pensionistët e vetmuar

18 Mars 2020, 13:28

VLORË- Në orët e pasdites do të nisë në qytetin e Vlorës shpërndarja e ushqimeve për të moshuarit e vetmuar, por edhe për ata që kanë nevojë dhe kanë ndihmë sociale. Një lajmi tillë është konfirmuar për Report Tv, nga kryebashkiaku Dritan Leli. Në intervistën e siguruar nga gazetari Armand Xhelili, Leli tha se sot Bashkia ka zhvilluar një mbledhje dhe nga pasditja do të nisë puna në terren.

"Një takim në Bashki, për t'iu shërbyer moshave të treta. Bashkia e Vlorës me një koordinim të punës, për t'iu shërbyer moshave të treta për t'iu çuar sidomos ushqime, pensionistë të vetmuar apo ato që kanë përkrahje sociale. Janë të gjithë faktorët pozitiv për t'iu gjetur pranë qytetarëve që nuk kanë mundësi që t'iu gjendet pranë dikush tjetër. Janë duke i evidentuar familjet në nevojë, ato që janë në vështirësi ekonomike apo mbështetje sociale, pensionistët e vetmuar. Krehje e territorit, për të filluar nga orët e pasdites ndihmesës për ata që kanë më shumë nevojë. Në Faqen zyrtare ka një numër kontakti që mund të kontaktojnë pas të cilit shkojnë administratorët e shtëpisë se çdo rasti dhe sipas mundësive do iu gjendemi pranë", tha Leli.