Leonidha Çobo përfitoi miliona lekë nga kompania e të vëllait përmes llogarisë së bashkëshortes! 'Tea CO' nënkontraktore e 'Bankers Petroleum'

3 Tetor 2020, 11:50

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet ndaj kompanisë Tea Co shpk, e cila për shumë vite ka qenë nënkontraktore e Bankers Petroleum Albania. Hetimet nisën pas padisë së dorëzuar nga kompania naftënxjerrëse. Por sipas burimeve një hetim mund të filloje edhe nga zyra e tatimeve pasi shumë nga të ardhurat e Çobos nuk vijnë nga burime ligjore.

Tea CO e cila është nën pronësinë e familjarëve të ish-Drejtorit të Bankers, Leonidha Çobo dyshohet se ka përfituar pagesa abuzive duke shfrytëzuar lidhjen nepotike.

Përgjatë 15 viteve që Tea CO shërbeu si nën-kontraktore e një prej kompanive të mëdha në vend, gjeneroi mbi 45 milionë USD të ardhura. Hetuesit kanë siguruar shënime ku qartësohet ndarja e përfitimeve ndërmjet “tre ortakëve të supozuar” të TEA-Co, një ndër të cilët është vetë ish-Drejtori Çobo. Siç rezulton në dosjen hetimore, Çobo i ndante përfitimet në mënyrë të barabartë me dy ortakët e kompanisë, përkatësisht rreth 33% të të ardhurave secili. Megjithëse Çobo nuk figuron ligjërisht ndër aksionerët e kompanisë, benefitet duket se kanë qenë të njëjta. Vetëm në nëntë muaj nga 1 Shtator 2008 deri më 26 Maj 2009, dyshohet se Çobo dhe “bashke-ortaket” e tij kane perfituar dhe shumat prej 264,000 Euro. 198.000 Dollarë dhe 14 milionë lekë.

Pagesa tek bashkëshortja

Fakti i përfitimeve direkte të ish-drejtorit Çobo është verifikuar nga hetuesit edhe nga disa transaksione bankare të kryera kundrejt bashkëshortes së tij, pikërisht nga nën-kontraktori Tea CO shp.

Siç evidentohet nga hetimet, një nga transaksionet mban datën 10 Nëntor 2011 ku janë paguar 10 milionë lekë në llogarinë e bashkëshortes së ish-drejtorit. 

Pagesa është kryer në monedhën vendase, lekë, dhe brenda ditës është bërë konvertimi në dollar në llogarinë e bashkëshortes së ish-drejtuesit.

Sipas prokurorisë, këto lloj pagesash mbështesin dyshimet mbi përfitimet direkt që Çobo ka marrë nga ky nënkontraktor, i cili ka qenë nënkontraktore e kompanisë për më shumë se 15 vjet, por ishte në pronësi të familjarëve të tij.

Për vite me radhë, TEA Co arriti të bëhet një nga nën-kontraktorët më të mëdhenj të Bankers, pasi ish-Drejtori, Çobo në një konflikt të hapur interesi dhe në kundërshtim me ligjin dhe politikat e kompanisë, nënshkroi amendime në favor të kësaj kompanie, duke e ftuar atë të marrë pjesë në tendera si dhe duke krijuar detyrime “të rreme” për Bankers ndaj TEA.

Kontrata dhe shërbime për rrethin miqësor

Përveç përfitimeve për llogari të familjarëve, ish-drejtuesi dyshohet se u kujdes të siguronte kontrata dhe shërbime për rrethin e tij të afërm miqësor. Një nga më aktivet rezulton të jetë një brokere në fushën e sigurimeve, A.A, e cila gjatë periudhës që Leonidha Çobo mbajti pozicionin e drejtuesit mundi të sigurojë kontrata sigurimesh nga Bankers, me vlera të konsiderueshme. Falë lidhjeve te ngushta miqësore me ish-drejtorin, A.A mundi të sigurojë kontrata në vlera të mëdha, kur vetëm në një vit, një prej tyre primi i sigurimit shënonte rreth 390 mijë Dollarë.

Ish-drejtori përzgjodhi direkt kompanitë e sigurimit të sugjeruara nga A.A, duke i mundësuar kësaj të fundit komisione në vlera të mëdha. Bashkëpunimi dyshohet të ketë zgjatur përgjatë 7 viteve (2011-2018) dhe ish-drejtori duke shfrytëzuar pozicionin e tij brenda kompanisë i garantoi brokeres edhe kontrata nga nën-kontraktorët e Bankers, të cilët ofroheshin për marrjen e shërbimit pas ndërhyrjes së tij.