TIRANË - Prokuroria e Tiranës njoftoi sot zyrtarisht, se ka kërkuar arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku me masë sigurimi "arrest me burg" dhënë në mungesë nga Gjykata, me akuzën se ka ushtruar detyrën e kryebashkiakut edhe pasi KQZ i hoqi mandatin për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklraimit, duke firmosur për shkarkimin e dy zëvendëskryetarëve të Bashkisë së Vorës. Report Tv mëson se policia ka shkuar në banesën e Kajmakut, prej ditës së dielë, kur është nxjerrë urdhër-arresti, por nuk e kanë gjetur në shtëpi.
"Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka shpallur në kërkim me masë sigurimi me "arrest në burg", në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, Shpërdorim detyre, sipas nenit 248 të Kodit Penal, falsifikimi i formularëve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal", - tha zyrtarisht prokuroria e Tiranës.
Prokuroria i ka kërkuar policisë të ekzekutojë masën e sigurisë të "arrestit me burg" dhënë në mungesë nga Gjykata, duke e vënë nën akuzë Kajmakun për tre vepra penale, atë të falsifikimit të formularëve, që lidhet me gënjeshtrën në formularin e vetëdeklarimit, dhe të dy akuzave të tjera: Shpërdorim detyre dhe ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës. Kjo do të thotë që Kajmaku të ketë ushtruar funksionin e kryebashkiakut edhe pasi KQZ i hoqi mandatin. Një lëvizje e dyshimtë e Kajmakut që Shqiptarja.com e raportoi disa ditë më parë, ishte firmosja e shkarkimit të dy zëvendëskryetarëve të Bashkisë së Vorës, që sipas burimeve nga Prokuroria, dyshohet se Kajmaku e ka firmosur pasi KQZ i kishte hequr mandatin më 1 Nëntor.
Ditën e sotme, prokurori i çështjes, Kolë Hysenaj, ka firmosur edhe një fletë-thirrje, ku kërkohet shoqërimi në Prokurori të martën në orën 09:30 i Kajmakut për tu marrë në pyetje për veprat penale të ngritura ndaj tij në cilësinë e personit ndaj të cilit kryhen hetime. Por në këtë shkresë nuk fliet për urdhër aresti. Shqiptarja.com kontaktoi me zyrën e shtypit të Prokurorisë së Tiranës, të cilët thanë se kjo shkresë nuk e rrëzon masën e "arrestit me burg" që Gjykata i ka dhënë Kajmakut, dhe faktin që ish-kryebashkiaku i Vorës vijon të jetë në kërkim.