‘Letra gjethe' që nuk 'vdes' kurrë KR ILIR CUCI

16 Nëntor 2019, 16:45

Artizani italian Daniele Romaniello duke qenë besnik i idesë se fletët e letrave mund të ripërdoren në cdo moment, ka krijuar së fundmi 'letrën  gjethe', që ka në përbërje të saj fara të ndryshme bimësh. Kjo letër e krijuar në mënyrë artizanale edhe nëse hidhet poshtë, nuk njeh përfundim cikli.

Çdo ditë në ambjente zyrash, shkollash e shtypshkronjash hidhen poshtë qindra e mijra fletë letre, të cilat nëse i mbledhim në mënyrën e duhur, mund t'i ripërdorim. Kështu mendon Daniele Romaniello, artizani italian që merret me përpunimin e letrës dhe që çdo ditë në laboratorin e tij të vogël, i jep ketyre mbetjeve një jetë të re. I vetmi limit që çdonjëri prej nesh ka përkundrejt letrave të hedhura është fantazia.I rritur në një familje artistesh, mes telajove, ngjyrave dhe vizatimeve, ai pak kohë më parë nisi të interesohej për letrat e hedhura aty këtu. Laboratori i tij i vogël ndodhet diku në perfieri të Romës dhe prej disa vitesh aty Daniele prodhon prej mbetjeve, në mënyrë artizanale, letër të cilësisë së lartë.

Letrat në laboratortin e Daniele Romaniello janë të ndryshme për nga përmasat, lloji dhe ngjyrat. Shpikja e tij e fundit është ajo që ai e quan "Letra gjethe". Bëhet fjalë për një lloj letre e krijuar në mënyrë artizanale, të cilën edhe nëse e hedhim poshtë, nuk do të thotë se cikli i saj mbaroi.

"Letra gjethe" ka në përbërje të saj fara të ndryshme bimesh. Dhe kështu, nëse e hedhin poshtë, prej mbetjeve të letrës pas pak ditësh do të lindë gjelbërimi dhe cikli i saj nuk do të mbarojë kurrë. Prej farave do të lindë një jetë e re dhe riciklimi i saj do të vazhdojë pafund