Letra skandaloze për TIA-n nga kompania e gruas së Gjin Gjonit

29 Shtator 2019, 14:12

Fakte të tjera komprometuese rreth skandalit Duty Free. Bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, përmes administratorit që ka vendosur në krye të kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution, Erjon Hastoçi, ka ushtruar presion me letra ndaj kompanisë koncesionare TIA, që menaxhon Aeroportin e Rinasit, për të kontrolluar me çdo kusht hapësirat Duty Free në aeroport, për shitjen e mallrave pa taksa. Pasi është njoftuar nga TIA në datën 22 shkurt 2019 se ka humbur tenderin për menaxhimin e dyqaneve pa taksa në Rinas, në datën 17 maj 2019, administratori i kompanisë së gruas së Gjin Gjonit i ka dërguar një letër TIA-s, në të cilën thotë se Albania Duty Free Distribution e merr licencën më shpejt se sa kompanitë e tjera. Kjo letër e siguruar nga Shqiptarja.com konfirmon influencat e çiftit Gjin Gjoni-Elona Çaushi mbi strukturat shtetërore, por edhe vendimin e tyre për të mos lëshuar ambientet e TIA-s në Rinas, edhe pse tenderin e kishte fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e mirënjohur dhe me eksperiencë në këtë fushë, ndërsa kompania e Çaushit kishte rezultuar humbëse. Në letër thuhet se për Albania Duty Free Distribution është shumë e lehtë për të marrë një licencë për aktivitetin Duty Free në një kohë të shpejtë, ndërsa kompanive të tjera u duhen gjashtë muaj. “Siç e kemi theksuar dhe më parë, për sa i përket ligjit, ne posedojmë licencën dhe për ne është shumë e lehtë dhe shumë e shpejtë rinovimi formal i licencës. Ndërkohë që nëse vjen një operator tjetër, atij do t’i duhen të paktën 6 muaj për të marrë licencën, gjithmonë në qoftë se dogana ia miraton atë”, thuhet në letër, përmes të cilës bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjonit kërkon t’i imponohet TIA-s për të vijuar biznesin e saj në aeroport.