'Furtuna' në polici dhe dorëheqjet e anëtarëve të komisionit vonojnë vettingun

1 Tetor 2019, 16:36 | Përditesimi i fundit: 2019-10-01 18:06:39

Lëvizjet e bëra brenda radhëve të policisë, e kryesisht në nivele drejtuese, si dhe dorëheqja e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimi, kanë bërë që Vettingu për uniformat blu të përballet me vonesa, e pa pasur një datë fikse me startimin e tij.

Burime pranë këtij institucioni pohuan se vetëm nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka dhënë dorëheqjen një anëtar, e ndërsa nga Sekretariati Teknik, janë dorëhequr të paktën 3 të tjerë. Të njëjtat burime sqaruan se motivacionet e dorëheqjes kanë qenë për arsye të ndryshme, si dhe ajo e numrit të lartë të dosjeve që duhet të shqyrtojnë.

Pikërisht ky problem u diskutua edhe pak javë më parë në Komisionin e Sigurisë, ku raportoi kryetarja e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, Ana Kapaj. Po ashtu, Kapaj kërkoi që stafi i saj që do të shqyrtojë dosjet e oficerëve që do të përballen me Vettingun të kenë dyfishim të burimeve njerëzore, për shkak edhe të punës voluminoze.

Deri më tani janë shqyrtuar 45 dosjet e drejtuesve më të lartë që do të përballen me procesin e Vettingut, nga Policia e Shtetit, SHÇBA dhe Garda e Republikës, e ndërsa vijon puna për 200 dosje të tjera.

Pas hedhjes së shortit nga ana e Komisionit, mësohet se tre emrat e parë që do të përballen me Vettingun janë Ardjan Çipa, drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Gjovalin Loka, drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, si dhe Bujar Ahmeti, drejtor i Forcave të Posaçme. Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë ka për objekt vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figures, si dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

    No videos found.