Lëviznin pa maskë në rrugë, policia gjobit 522 persona! 12 prej tyre shoqërohen në komisariat

20 Tetor 2020, 16:03 | Përditesimi i fundit: 2020-10-20 16:10:17

Gjatë 24 orëve të fundit janë gjobitur 522 persona pasi janë konstatuar pa maska në ambientet e jashtme.

Ndërkohë 12 prej tyre u shoqëruan në komisariat pasi nuk kanë treguar mjete identifikimi gjatë momentit të ndalimit.

Ata u gjobitën nën masën 3000 lekë, një shumë e cila do tu vendoset në faturën e dritave.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse, pasagjerë pa maska në automjetet e transportit publik dhe pasagjerë pa maska në automjetet private, të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesin e automjetit.

Për këto raste, shërbimet e Policisë  së Rendit dhe ato të Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë vendosur 522 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Policia e Shtetit apelon që të gjithë qytetarët të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.