Lezha, Tropoja e Rrogozhina 'shërohen' nga COVID-i dhe fillojnë mbledhjen e trëndafilave, qytetarët: E kaluam

25 Prill 2020, 17:50

Në këtë situatë të vështirë nga koronavirusi, nuk mungojnë dhe lajmet e mira, një ndër to është se tre zona kanë dalë nga harta e të prekurve me COVID-19. Lezha, Rrogozhina dhe Tropoja janë qytete ku të gjithë të prekurit deri tani, janë të shëruar.

Lezha ka dalë nga harta e zonave të prekur nga COVID-19. 14 personat e infektuar e kanë fituar betejën me këtë sëmundje, ndërsa që prej fillimit të muajit prill nuk ka pasur asnjë rast të ri. Kjo situatë pozitive duket se i ka çliruar qytetarët të cilët kanë nisur ta harrojnë koronavirusin. Në qytet lëvizjet janë shtuar dhe pamja që të ofrohet është sikur të ishte një kohë normale.