Mjeku Isuf Kalo promovoi librin “Blloku, mjeku personal i Enver Hoxhës”. Në këtë botim autori sjell fragmente kujtimesh, mbresa ngjarjesh të jetuara dhe reflektime e analiza, në të cilat sjell përpjekjen e tij, për të vlerësuar në mënyrë retrospektive, pa nostalgji dhe pa mllef, atmosferën dhe jetën e banorëve të Bllokut. Gjatë promovimit vet autori i librit Isuf Kalo rrëfen se kjo iniciativë e tij, nuk është as për të bërë histori shkencore apo letërsi të mirëfilltë, por është thjeshtë rrëfimi i një mjeku, që ka qenë shumë pranë personazheve të bllokut.
“Ky libër nuk është histori në kuptimin shkencor, nuk është letërsi në kuptimin artistik, nuk është memuar apo profil i autorizuar i dikujt. Është thjesht rrëfimi i një mjeku, i cili duke qenë shumë pranë tyre, vetvetiu ka asimiluar edhe gjëra që ishin të pamundura për njerëzit jashtë territorit të Bllokut. I quajta me vend që t’ja përcjell publikut, pasi në to nuk ka vetëm kuriozitete, por ka edhe mesazhe, që ndoshta do t’u vlejnë brezave të rinj, që disa gjëra nga e kaluara edhe t’i çmojë, ndërsa disa gjëra të tjera t’i shikojë me sy kritik edhe t’i ndryshojë”, shprehet mjeku Isuf Kalo.
Kalo tregon se në këtë libër figura e diktatorit, Enver Hoxha, nuk është kryesor. Në libër nuk mungojnë rrëfimet për Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Hysni Kapon, Beqir Ballukun apo edhe shumë figura të tjera pranë diktatorit
