Liceu Artistik, aty ku rriten ëndërrimtarët e arteve

8 Qershor 2019, 13:33

Emocionet e ëndrrat e brezit të ardhshëm të artistëve ruhen në godinën liceiste të kuqërremtë. E ardhmja e arteve jetësohet në atë copëz Tirane, ku godinës 4 katëshe i kanë mjaftuar 75 vite për të qenë një busull orientimi, një pikë takimi. Maturantët, në kuadër të kapërcimit të fundit për të trokitur në Universitetin e Arteve apo për të vazhduar studimet jashtë vendit, rrëfejnë për kamerën e “Report TV” ëndërrt e tyre, vështirësitë që hasin edhe rezistencën e këtij institucioni. Liceistët maturantë të “Jordan Misjes” sjellin të ekspozuara në atelienë dhe galerinë shkollës, skulpturat dhe fotografitë që kanë realizuar, si provim diplome.

“Unë nuk i kam hyrë akoma tregut të punës si fotograf, për momentin po mendoj se njerëzit i pëlqejnë shumë fotografitë artistike. Në të ardhmen kam dëshirë të merrem me filmin, shpresoj që akademia të më jap aq sa unë dua, që nesër të arrij diçka”, shprehet Olsi Bogdani, i cili ekspozon në galerinë e liceut ekspozitën e tij fotografike.

Katër vite edhe për maturantin Jurgen lamaj kanë qenë shumë të bukura, sepse ai ruan kujtime të mira në këtë lice. Ne e takojmë në atelie, pranë punës së tij të diplomës, mbretëresha ilire Teuta. Ai na tregon se skulptura për të është shumë e rëndësishme, është buka e përditshme, vet jeta, prandaj ëndrra që nesër të jetë në tregun e punës, është e madhe.