'Ligjet' i çojnë Kuvendit listat për zgjedhjen e dy anëtarëve të Kushtetueses, Manja 'mesazh' Metës

5 Nëntor 2019, 19:35

TIRANE-Brenda 30 ditëve Kuvendi i Shqipërisë do të zgjedhë dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Pas seancës dëgjimore të pak ditëve më parë, Komisioni i Ligjeve sot miratoi dy raportet me emrat e dërguar nga KED-ja për anëtarë të Kushtetueses për vendet vakante që u shpallën në  12.02.2018 dhe 04.03.2019, pasi anëtarët u shkarkuan nga vettingu. Por kush janë emrat dhe si janë renditur?

Në listën e parë është Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi, me këtë të fundit që është dekretuar nga Presidenti. Tashmë gara është mes Arta Vorpsit dhe Elsa Toskës. Votimi duhet të jetë me shumicë të cilësuar, por nëse nuk arrihet kuorumi i nevojshëm atëherë automatikisht i pari në listë do të jetë anëtari i Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që në listën e dytë që Komisioni i Ligjeve i dërgoi sot Kuvendit për votim me këtë renditje janë; Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. Edhe këtu procedura është e njëjta, duhet shumicë e cilësuar në të kundërt, zgjidhet automatikisht i pari në renditje.Gjykata Kushtetuese mbeti me vetëm një anëtar, Vitore Tushën pasi të tjerët u shkarkuan nga vettingu, por shumë shpejt pritet që të jetë funksionale, pasi Besnik Muçi u dekretua pak ditë më parë nga Presidenti (ende s'e ka kaluar vettingun) ndërkohë që brenda 30 ditëve do të kemi edhe dy anëtarë të tjerë të votuar nga parlamenti. Në fund të seancës së Komisionit të Ligjeve, kryetari Ulsi Manja tha se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që do të duhet të rifillojë së shpejti duke pasur në konsideratë numrin e cështjeve që presin të gjykohen kanë një rëndësi të madhe 'për opinionin publik dhe debatin politik' duke nënkuptuar cështjen për shkarkimin e Presidentit, që nëse miratohet nga parlamenti, vulën do të duhet t'ia vendosë Gjykata Kushtetuese.