Ligji i ri në Kuvend / Afat deri në 30 gusht 2020 për rivlerësimin e 50 mijë banesave

6 Dhjetor 2019, 17:49

TIRANE - Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar sot një projektligj për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Nisma e propozuar nga deputeti Arben Ahmetaj parashikon që çdo shqiptar që ka një në pronësi një pasuri të paluajtshme ka të drejtë të bëjë rivlerësimin e kësaj pasuri me vlerën e tregut. Rivlerësimi mund të bëhet nga momenti i hyrjes në fuqi i ligjit deri datën 30 gusht 2020. Dy janë mundësitë për rivlerësimin e pasurive të luajtshme: Me ekspert të licencuar pranë zyrave vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ose me ekspert të licencuar të zgjedhur vetë. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e bazës së tatueshme.

Projektligji, nëse do të miratohet nga Kuvendi, parashikon mundësi rivlerësimi edhe për individët që kanë pasuri/banesa në proces legalizimi, por edhe personat që kanë apartamente ta hipotekë, për shkak të problemeve që ka shoqëria ndërtuese me mosrespektimin e lejes së ndërtimit. Nisma parashikon më tej nxjerrjen e një udhëzimi të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, i cili do të parashikoje në mënyrë më të detajuar të gjithë procedurën që shoqëron procesin, duke përfshirë aplikimin, nxjerrjen e formularëve standard etj.Sipas deputetit propozues, nga ky ligj do të rivlerësohen 50 mijë banesa, ndërsa të ardhurat në buxhet do të jenë 6 miliardë lekë. “Ky projektligj vlerësohet të ketë 6 miliardë lekë efekte financiare bruto në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2020.  Vlerësohet që procesit të rivlerësimit t’i nënshtrohen rreth 50 mijë banesa. Llogaritja e efektit është bere bazuar në numrin e banesave dhe pagesën mesatare të bërë nga individët në rivlerësimin e periudhës 2011-2013 dhe 2016-2017. Procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1 % gjatë viteve 2011-2013 u bë për 95 mijë pasuri dhe gjeneroi në buxhet 4 miliardë leke, ndërsa procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 2% gjate viteve 2016-2017 u bë për 63 mijë pasuri dhe gjeneroi 5,1 miliardë lekë në buxhet. Ndërkohë, si rezultat i procesit të rivlerësimit, do të reduktohen të ardhurat nga tatimi mbi kalimin e se drejtës së pronësisë për periudhën e rivlerësimit dhe me tej. Ky efekt në uljen e të ardhurave nga ky tatim do të ishte -2 miliardë lekë. Pra efekti neto në të ardhurat e buxhetit të shtetit do të ishte 6-2= 4 miliardë lekë”.