Ligji i ri për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjykatave, gjyqe të fshehta, pa zvarritje dhe me kosto të ulët, ja kushti i vetëm

18 Gusht 2020, 18:49

TIRANË- Shqipëria do të ketë shumë shpejt një sistem arbitrazhi, si alternativë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme jashtë gjykatave, me kosto shumë më të ulët se proceset gjyqësore, pa burokraci dhe në një kohë shumë të shpejtë në raport me proceset në gjykata. Projektligji për të zgjidhur në arbitrazhin kombëtar mosmarrëveshjet e ndryshme, konfliktet midis shtetit dhe palëve private apo palëve private me njëra-tjetrën, është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe së shpejti do të depozitohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvend. Nisma ligjore parashikon fillimisht ngritjen e institucionit të arbitrazhit, i cili duhet të regjistrohet pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Institucioni i arbitrazhit organizohet sipas ligjit dhe publikon në faqen e internetit, emrin dhe adresën, vendin e ushtrimit të veprimtarisë, tarifat e arbitrazhit dhe numrin e llogarisë bankare të institucionit të arbitrazhit për kryerjen e pagesave nga palët, rregullat proceduriale të institucionit, listën e arbitrave dhe të dhëna të tjera të nevojshme. Por, për të shmangur gjykatat dhe për të shkuar në arbitrazh ka një kusht, sipas të cilit palët në konflikt duhet të nënshkruajnë një marrëveshje me tyre, me të cilën ato pranojnë t’ia nënshtrojnë arbitrazhit mosmarrëveshjen. Pra, arbitrazhi e merr një çështje për ta zgjidhur vetëm nëse të dy palët bien dakord. Marrëveshja e arbitrazhit bëhet me shkrim nga palët, ndryshe është e pavlefshme.

Arbitër mund të emërohet kushdo që plotëson disa kritere ligjore. Por, arbitri që do të zgjidhë një mosmarrëveshje, caktohet me konsensus nga palët. Nëse palët nuk bien dakord, arbitri për zgjidhjen e konfliktit caktohet nga kryetari i gjykatës së rrethit. Ndërkaq, procedurat e arbitrazhit janë konfidenciale, me përjashtim kur palët kanë rënë dakord ndryshe. Seancat e gjykatës së arbitrazhit janë të mbyllura dhe gjykata e arbitrazhit nuk mund t’u bëjë me dije palëve të treta ose të publikojë të dhëna lidhur me procedurat e arbitrazhit.