Ligji i ri/ Presidenti s'anulon zgjedhjet dhe s'refuzon dekretet për ministrat, PS kufizime Metës

6 Nëntor 2020, 20:18

TIRANË- Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk do të kryejë një sërë veprimesh pa dakordësinë e mazhorancës, e cila nëpërmjet një projektligji të posaçëm e ka kufizuar kreun e shtetit, duke u nisur dhe nga precedentë të mëparshëm. Mazhoranca synon t'u japë fund përplasjeve Kuvend-Presidencë, teksa deputeti Adnor Shameti i cilësoi këto ndryshime si të domosdoshme që zgjidh ato që i cilëson si "ngërçe artificiale". Report Tv ka siguruar draftin e plotë të përbërë nga 45 nene, në të cilat, siç SHameti tha, i përcakton qartë detyrat e kreut të shtetit. Kështu, ndalur te dekretimi i ministrave, presidenti ka 7 ditë kohë për t'u shprehur. Nëse presidenti nuk shprehet për 7 ditë, emërimi i ministrit bëhet nga Kuvendi. Me anë të këtij neni mazhoranca synon që të mos përsëritet më skenari "Cakaj dhe Lleshaj", ku kreu i shtetit, Ilir Meta refuzoi t'i dekretonte ato."Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim", shkruhet në draft. Sa i përket datës së zgjedhjeve, nëse ajo nuk caktohet nga presidenti, kompetencat i ka sërish Kuvendi. Data e zgjedhjeve vendoset konsensus nga palët politike dhe në momentin që nuk është arritur dot në një konsensus, atëherë caktohet data e partisë që është në pushtet. Gjithashtu, nëse kërkon t’i anulojë, sërish duhet të rakordohet me partinë më të madhe. Pra, nuk do të ketë më një rast tjetër të ngjashëm siç ndodhi me zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku Meta i anuloi, por ai dekret nuk u mor parasysh nga mazhoranca e cila shkoi drejt kutive të votimit. "Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive parlamentare. Data e zgjedhjeve përcaktohet nga Presidenti i Republikës mbështetur në konsensusin e partive pjesëmarrëse në konsultë. Në rast se mungon konsensusi, atëherë Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve, sipas propozimit të partisë apo partive që mbajnë numrin më të madh të mandateve parlamentare", shkruhat ne draft.