Ligji për Metën, nga kontrolli mjekësor, mundësia e zëvendësimit nga Ruçi tek dorëzimi i dhuratave, por do ketë privilegje të ‘çmenduara’, banesë, zyrë, staf e shofer përjetësisht nga shteti

12 Shtator 2020, 18:15

Në seancën e parë plenare për këtë sesion parlamentar, kryeministri Edi Rama, përpos të tjerave paralajmëroi edhe miratimin e një ligji për organizimin dhe funksionimin e Presidencës. Domosdoshmëria për një ligj organik për Presidencën parashikohet edhe në raportin e komisionit hetimor për të mos shkarkuar Ilir Metën, miratuar nga Parlamenti në korrik të këtij viti. Shumica socialiste në Kuvend ka tentuar të miratojë një ligj të tillë që në fund të vitit 2016, por nisma ligjore u tërhoq në heshtje pas largimit të Bujar Nishanit dhe emërimit të Ilir Metës në krye të shtetit. Paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama konsiston pikërisht në rikthimin e këtij projektligji.