Ligji për presidentin, ja si emërohet kryeministri i ardhshëm

6 Nëntor 2020, 22:14

Drafti i propozuar nga mazhoranca për ndryshimin në ligjin e Presidentit të republikës rregullon mënyrën e emërimit të kryeministrit. Në pikën 1 të nenit 20 thuhet se Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.

Ndërsa në pikën 6 është vendosur edhe mekanizmi zhbllokues i një situatë ku asnjë forcë politike nuk arrin të krijojë shumicën në parlament. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.

Emërimi i Kryeministrit

1. Emërimi i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret. Emërimi i Kryeministrit është nismëtar kur procedura për emërimin e kryeministrit nis nga Presidenti i Republikës dhe është pasues kur procedura nis nga Kuvendi. Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.

2. Emërimi nismëtar bëhet në fillim të legjislaturës ose kur posti i Kryeministrit ngelet vakant dhe përfshin emërimin sipas pikave 5, 6 dhe 7 të këtij neni.

3. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet në rastet kur Kryeministri zgjidhet nga Kuvendi pas përfundimit pa sukses të procedurave për miratimin e Kryeministrit të emëruar, kur zgjidhet për shkak të mosushtrimit nga Presidenti i Republikës të kompetences për emërim ose të moszbatimit të procedurës së emërimit, si dhe kur zgjidhet me mocion mosbesimi. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës pa zhvilluar procedura konsultimi.