Lindi në terapi intensive për shkak të COVID, nëna sheh për herë të parë foshnjen e saj

14 Mars 2021, 09:15 | Përditesimi i fundit: 2021-03-14 17:00:15

Fabiola është një nënë e re, e cila e ka sjellë në jetë foshnjën e saj, teksa po kurohej në terapi intensive për shkak të COVID, pasi iu nënshtrua një ndërhyrje delikate.

Ministra e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale momentin emocionues, ku nëna e re ka arritur të shikojë për herë të parë foshnjën e saj.

Vëtë Fabiola shprehet se ajo i neglizhoi simptomat e COVID, ndërkohë që arriti në një pikë shumë të rëndë për shkak të kësaj sëmundje dhe përfundoi në reanimacion.

‘Ishte një sfidë shumë e madhe si për mua dhe për vajzën. Ishte një neglizhencë pak nga ana ime dhe nuk i vura rëndësi simptomave të para, por arrita në një pikë shumë të rëndë. Në reanimacion kam bërë lindjen në mënyrë shumë urgjente. Atje pata një shërbim shumë të shkëlqyer. Falenderoj stafin e maternitetit.’- tha nëna e re.

Ministrja e Manastirliu falënderon mjekët dhe infermierët për punën e palodhur dhe profesionalizmin e tyre.

‘Fabiola dhe Najla janë luftarake, edhe kur jeta për nënën e re dhe foshnjen e saj, varej në një fije të hollë shprese, në përballjen e vështirë me #covid19. Pas ndërhyrjes delikate të ekipit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe #QSUT, ditëve të vështira në terapinë intensive, ky është momenti magjik, me emocion të papërshkrueshëm, kur Fabiola sheh për herë të parë foshnjen e saj. #Krenare për punën e palodhur dhe profesionalizmin e mjekëve dhe infermierëve tanë. #RESPEKT!’- shkruan Manastirliu.