Liqeni i Fierzës 'mbytet' nga mbeturinat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut!

15 Mars 2020, 11:56 | Përditesimi i fundit: 2020-03-15 15:55:25

KUKËS- Fierza është shndërruar sërish në basenin grumbullues të mbetjeve urbane të verilindjes së vendit, Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Reshjet e ditëve të fundit dhe rritja e nivelit të ujit rikthyen problematikën e vjetër të ndotjes që vijon prej vitesh dhe ende nuk ka zgjidhje përfundimtare .Kjo situatë në Fierzë është bërë e zakonshme në periudhat pranverë-vjeshtë ku vija liqenore dhe sipërfaqja e liqenit ndotet nga mbeturina të shumta.

"Dëmet janë të gjitha anëshme. Për çdo metër 2 këtu dëmi është i dukshëm, që nga prania e plastikës, e lëndëve helmuese, lënia djerrë e pozicionit që ndodhet kjo plastikë. Nivel shumë i ulët ndërgjegjësimi, ky vend tregon se në çfarë niveli jemi", shprehet Arben Palushi specialist i mjedisit.

Në vitin 2016 u shpallë emergjenca mjedisore dhe liqeni u pastrua nga Emergjencat Civile dhe efektivët e forcave speciale me gomone. Edhe vitin e kaluar  është pastruar nga nxënësit e shkollave të Kukësit e vullnetarë që kanë hequr mijëra tonelata mbetje.

Megjithatë,  liqeni sërish vazhdon të mbushet me mbeturina nga tre shtete. Ndërkohë zotimet e qeverive të Shqipërisë e Kosovës për vendosjen e rrjetave mbrojtëse nuk u mbajtën, ndaj edhe mbetjet urbane të mbledhura në territorin e tre shteteve çdo vit përfundojnë sërish në liqen.

Kanë dështuar edhe planet për blerjen e një anijeje për pastrimin  e sipërfaqes së liqenit .