Lirohen 10500 m2 plazh në Shëngjin e Velipojë! Rama: Paaftësia e të djathtëve i ktheu në xhungla

10 Gusht 2019, 14:50

Aksioni anti-informalitet është shtrirë në bregdetin e Shëngjinit dhe Velipojës ku janë liruar 10500m2plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme, vihen nën hetim 9 persona mes tyre edhe drejtorë pranë bashkisë së Lezhës. Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili i quan plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës si dy nga xhunglat më të mëdha të krijuara nga rrumpalla e kahershme e dokumenteve të pronësisë dhe paaftësia kronike e bashkive të djathta.

"Plazhet e Shëngjin-Velipojës, janë mbase dy xhunglat më të mëdha, që ka krijuar rrumpalla e kahershme e dokumenteve të pronës dhe paaftësia e zullumhania kronike e bashkive të djathta. Çlirimi i tyre nga zaptuesit vazhdon përditë, por fundi pa kthim i lukunisë së zaptuesve, do të vijë me Ligjin e Ri për Vijën Bregdetare dhe dorën e hekurt që falë këtij ligji, shteti do të mund të vendosë nga viti që vjen, për t’ia kthyer përfundimisht plazhin Popullit", shkruan Rama teksa ka postuar foto nga aksioni i policisë.

Në kuadër të aksionit anti-informalitet u liruan 8000 m2 plazh në Shëngjin si dhe u sekuestruan 500 çadra e shezlongë. Nën hetim u vunë Arben Ndoj drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore dhe Sokol Toma drejtori i  Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Lezhë ndaj të cilëve  rëndon akuza për 'shpërdorim detyre'. Policia pezulloi 5 subjekte që ushtronin aktivitet të paligjshëm duke mos paguar shfrytëzimin e hapësirave publike. Nën hetim u vunë pronarët e këtyre subjekteve N.K., Sh.L., E.L., L.K., dhe  M.T., për veprat penale " Fshehja e të ardhurave" dhe " Mospagim i taksave".