Lirohen 1500m2 plazh, nën hetim 3 zyrtarë të Bashkisë Kavajë dhe 3 administratorë subjektesh

8 Gusht 2019, 09:48

Lirohen 1500m2 plazh, nën hetim 3 zyrtarë të Bashkisë Kavajë dhe 3 administratorë subjektesh në kuadër të aksionit anti-informalitet.

Njoftimi i plotë

Policia e Shtetit vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.

Lirohen 1500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme

Sekuestrohen 200 shezlongë dhe 140 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapsirat publike.

Procedohen tre pronarë subjektesh për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" "Mospagim i taksave" dhe "Pushtimi i tokës"

Procedohen penalisht edhe 3 zyrtarë të Bashkisë Kavajë për shpërdorim detyre.

Komisariati i Policisë Kavajë, në  bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë  ushtruar kontroll në subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit në plazhin e Golemit në Kavajë.

Nga ky kontroll rezultoi se 3 subjekte tregtare ushtronin aktivitet të kundërligjshëm  në shfrytëzimin e hapësirës së plazhit (rërës), pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me  kontratë qiraje për përdorimin, nga Bashkia Kavajë. Në përfundim të veprimeve  u proceduan penalisht shtetasit E. F., B. Ç. dhe M. B., administratorë të këtyre subjekteve.

Po gjatë operacionit Policia procedoi penalisht për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", 3 zyrtarë të Bashkisë, të cilët nuk kanë kryer detyrën, duke lejuar që këto biznese dhe të tjera të proceduara më parë nga Policia, të ushtronin aktivitet në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht shtetasit:

P. P., me detyrë përgjegjës i Zyrës së Kadastrës Urbane dhe të Menxhimit të Aseteve Publike, në Bashkinë Kavajë.

M. Sh., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave Vendore në Bashkinë Kavajë

Q. L., me detyrë Kryeinspektor i Policisë Bashkiake në Bashkinë Kavajë.