Lirohen tre punonjësit e zonave të Mbrojtura në Shkodër, shkeljet u bënë para se të krijohej institucioni

20 Dhjetor 2019, 16:39

Gjykata e Shkodrës ka lënë të lirë tre punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Velipojë. Punonjësit, Vesel Tusha 56 vjeç specialist në Zonat e Mbrojtura  dhe Palë Keçi 65 vjeç me Refik Zaganin 57 vjeç roje mjedisore u arrestuan dhe u akuzuan për shpërdorim detyre pas një kontrolli në Velipojë, ku sipas policisë në zonat e mbrojtura  janë bërë gërmime, shpyllëzim dhe betonizim i zonës. Gjykata e Rrethit Shkodër vlerësoi si të paligjshëm vendimin e ndalimit të tyre në datë 16 dhjetor dhe caktoi masën "detyrim paraqitje" për 3 punonjësit e ADZM Shkodër, të cilët do të vijojnë punën pranë këtij institucioni.

Pas vendimit të gjykatës për të shpallur të paligjshëm arrestimin e 3 punonjësve ka reaguar edhe ADZM e Shkodrës ku sipas saj gërmimet dhe ndërhyrje janë bërë në 2001 ndërkohë ADZM si strukturë është krijuar në 2015.

“Në zonën e Velipojës kanë gjetur dy sipërfaqe, njëra e rrethuar dhe njëra e betonizuar, si kundravajtje për të cilën janë ndaluar dhe 3 punonjësit tanë. Këto dy shkelje që janë ndaluar datojnë shumë kohë më para se janë krijuar zonat e mbrojtura. Edhe pronarët e dy sipërfaqeve deklarojnë që rrethimet dhe betonizimet janë bërë në '94 dhe 2001, ndërkohë që zonat e mbrojtura janë krijuar në 2015”, tha Age Martini , specialiste e komunikimit në ADZM

Palë Keçi, 65 vjeç u arrestua në ditët e fundit të punës ku pritej të dilte në pension.  Ndër të tjera ADZM garanton se do vazhdojë të mbështesë procesin për zbardhjen e ngjarjes me besimin e plotë tek pafajësia e specialistit dhe dy rojtarëve të Velipojës.